Adnor Shameti, deputet i Partisë Socialiste, në një intervistë për emisionin ‘Në Fokus’ në TVT, u shpreh se nuk ka gjasë që të gjendet gjuha e përbashkët me opozitën e bashkuar për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij çdo mundësi është shuar sot në këshillin politik, ku opozita jashtëparlamentare mbajti qëndrim mohues ndaj kësaj çështje.
Shameti u shpreh qartë se ndryshimet kushtetuese do votohen me 30 korrik: “Unë mendoj se takimi i sotëm i Këshillit Politik i ka ezauruar të gjitha çështjet dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të miratojmë ndryshimet kushtetuese me opozitën parlamentare. Pa votat e tyre nuk mund të miratohej as marrëveshja e 5 qershorit.”
Më tej, deputeti i PS u shpreh se ‘këto ndryshime kushtetuese nuk ndikojnë aspak në marrëveshjen e 5 qershorit’.
Ndërkohë, lidhur me deklaratën e presidentit Meta që kërkoi nga PS heqjen dorë të ndryshimet të Kushtetutës në mënyrë të njëanshme, deputeti Shameti deklaroi:
“Nuk ka asnjë tagër presidenti të mos miratojë ndryshimet kushtetuese sepse ai mund të kthejë vetëm ligje të thjeshta. Ata janë në bllok dhe presidenti është i detyruar ti zbatojë.”



