Arkitektja urbaniste dhe aktivistja Entela Koja duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV u shpreh kundër investimit të shëtitores së betonit dhe brezit të mbushjes bregdetare në Durrës. Koja tha se edhe sikur të ishte një projekt i pranuar nga ekspertët, fillimisht duhet të krijoheshin barriera dhe më pas të bëhej mbushja. Ajo shton se mbushjet me inerte, dhe, beton, ndryshokn ekosistemin dhe nxit erozionin. Koja i lidh të gjitha këto investime me projektin e Alabarit.
"Projekti ka një shtrirje prej dy vjetësh dhe në fazën e parë u bë një shëtitore, në një gjatësi prej 3 km. Është një projekt që që në fazën e parë pati kundërshtime nga banorët dhe biznesi në zonë, dhe sidomos nga teknicionët që vunë re probleme të mëdha teknike, sa i takon dimensionit të madh që zinte në një brez që është ndërkohë shumë i ngushtë. Bregdeti i Durrësit i nënshtrohet fenomenit të erozionit dhe ka një tendencë të shtyrjes së vijës së ndërtimeve, duke e bërë brezin e rërës gjithmonë e më të ngushtë.
Numri i madh i pushuesve e bën gjithmonë një plazh të frekuentuar, popullor. Ndërhyrjet që në fazë të parë ishin të gabuara, një masë e madhe betoni, brez prej 9 metrash. Zgjerimi i brezit të rërës është i gabuar. Por nuk dëgjohen ekspertët, njerëzit që afektohen. Problemi që po evidentojmë sot është procesi i mbushjes që pretendon të zgjerojë brezin e rërës. Këto ndërhyrje nuk bëhen në këtë mënyrë.
Duhet të bëhet në një kohë me shëtitoren. Edhe sikur ta pranonim që të bëhej një gjë e tillë, gjëja më e rëndë që ka ndodhur është që kanë qenë një pjesë e mirë inerte, dhe kjo ka qenë alarmante. Është bërë mbushje me argjil, inerte, copa betoni dhe copa hekuri. Edhe sikur të ishte projekt i pranuar nga të gjithë, nuk punohet kështu. Duhet krijuar barriera më parë, pastaj mbushja. Mbushja duhej me rëra të kontrolluara.
Mbushjet me argjil, bashkohen me rërën dhe ndryshon jo vetëm ekosistemin, por sjellë fenomene që në det s’futesh dot më si dikur, këmba zhytet në baltë, jo në rërë. Në zbatim po shkelet edhe projekti i bërë. Në bëmë një denoncim në Prokurori. Kjo është t’i hedhësh paratë në det, sepse deti merr çdo gjë mbrapsht. Por edhe sikur ta pranonim s’duhet bërë me inerte. Kjo po ndodh në zonën e re ku është projekti Alabarit.
Ajo do krijojë një erozion të vazhdueshëm. Deti s’mbushet me dhe, është një gafë e rëndë. Erozioni luftohet me mbjellje pishash, jo me depozitimin e inerteve. Janë hedhur 4 milionë euro me shëtitoren dhe po kaq po hidhen me brezin e mbushjes bregdetare. Por duhet të hapen akset drejt këtij bulevardi. Duke qenë se s’janë zgjidhur nga ana urbanistike, uji bllokon zona të caktuara në zonën e sipërme. Edhe kjo shëtitore krijohet për t’i shërbyer investimit strategjik të qeverisë shqiptare"



