
Avokati Marash Logu në një lidhje skype me MCN Live ka komentuar për padinë mbi VKM për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Logu tha kjo VKM i heq mundësinë qytetarëve të kenë pronën e tyre dhe se denoncimet e qytetarëve janë anashkaluar. Sipas tij, sot kemi 400-450 mijë ndërtime të paligjshme ndërsa thekson se ka munguar një analizë për to.
Së pari besoj kush e ka ndjekur seancën dhe njerëzit e ligjit e kanë kuptuar që në dy seanca në 11 dhe 26 prill u shtyn pas asnjë arsye. Fatmirësisht këto dy momente që ishin të panevojshme u tejkaluan dje dhe ne patëm mundësi që grupi parlamentar i PD të sillte para gjykatës Kushtetuese të gjitha argumentet tona për të cilën ne kemi kërkuar shfuqizimin e kësaj VKM për ndërtimet pa leje e cila i heq mundësinë qytetarëve që të kenë pronën e tyre.
I pyetur nëse keni një informacion se në çfarë niveli e kemi këtë abuzim, Logu tha se në 2014 filloi një aksion i gjerë që synoi ti jepte fund ndërtimeve pa leje dhe do legalizonte ato që mund të legalizoheshin, ndërkohë që sot ai numër jo vetëm që nuk është ulur por është dyfishuar.
Të gjitha inspektoratet do ishin në këmbë që të mos kishim më ndërtime pa leje. Në atë kohë ju e dini që shumë qytetarë për një rregullim çatie apo punime minimale dhe u arrestuan, ndërsa duke ardhur në vitin 2020 kemi arritur në 400-450 mijë ndërtime pa leje, nga 200 e ca në 2014. Prandaj duhet bërë një analizë se nga vjen kjo, se nëse vjen nga mungesa e ligjit në vend ta zgjidhësh situatën e bën më të komplikuar. Ne nuk kemi pasur në gjithë këto vite një analizë ndërinstitucionale për të kanalizuar se si është e munduar që nga 200 kaluam në rreth 450 mijë ndërtime dhe besoj se e gjithë kjo qëndron në moszbatimin e ligjit.
Në vijim ai theksoi se do duhej që jo vetëm qytetarët por dhe çdo subjekt i prekur të vinte në kushtetuese për të mbrojtur të drejtën e tij.
Paralelisht me kërkesën tonë ka pasur një kërkesë dhe nga shoqata e ndërtuesve por që u tërhoqën pas presioneve dhe shantazhit të kryeministrit me një reagim të tij që tha se dhe në hënë po të shkoni s’do të merrni asgjë. Ky shantazh i hapur apo presion është i lartë dhe në këtë mënyrë e vetmja mënyrë është që këto kërkesa të bëhen nga jo më pak se 23 deputetë dhe do doja që këtë proces ta çonin përpara qytetarët, shoqatat dhe çdo biznes që është i prekur. Kjo VKM duhet shfuqizuar dhe rruga e duhur për ta bërë këtë është përmes ndëshkimit shembullor për këdo që e shkel këtë ligj dhe kjo nënkupton të gjitha masat që e shkel këtë ligj. Nga ana tjetër duhet të merren dhe masa që mbrojnë dhe respektojnë qytetarët e tjerë që preken.



