Përfundon pa marrëveshje mbledhja e Këshillit Politik. Pas më shumë se tre orësh, palët kanë dalë nga mjediset e Pallatit të Kongreseve pa dakordësi mbi reformën zgjedhore.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, tha se marrëveshja nuk u arrit për faj të maxhorancës. “Falenderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në përpjepje për të gjetur kompromis, PS nuk hoqën dorë nga privilegjet mbi procesin zgjedhor. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë zgjidhje me kompromis. Le t'i japim kohë PS pse nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor për të përmbyllur tabelën e rezultateve, se pse KQZ nuk mund të jetë ai institucion i turpshëm, jemi para një model të ri, por nuk mund të jetë ai pronë e PS. Komisionet e PS nuk mund të jenë si të pavarur, dhe kjo lidhet bashkë edhe me garantimin 100% biometrik. Kur të kemi kompromis mbi këto çështje, ne mund të punojmë për reformën. Biometrika është e lidhur me administratën, por këto janë të lidhur edhe që nuk mund të jenë nën kontrollin e KQZ apo të gjykatave. Këto shtylla të rëndësishme janë të lidhura", tha Bylykbashi.
Ndërsa për përfaqësuesin e LSI-së, Petrit Vasili, propozimet e opozitës i japin fund manipulimit me votën e shqiptarëve. “Ky është një qëndrim parimor që s'ka arsye se përse të negociohet dhe kështu ne plotësojmë një kusht të BE-së, nga 5 kushte që 2016, ka 3 kushte që lidhen me zgjedhjet ku shkaktari kryesor është Edi Rama", tha Vasili.
SHBA dhe përpjekja për arritjen e marrëveshjes
Ambasada Amerikane është angazhuar në arritjen e konsensusit. Ian Craëford, shef i seksionit politik dhe ekonomik në ambasadën e SHBA-ve u takua fillimisht me Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin, dhe më pas, pas më shumë se 1 ore takimit i është bashkuar edhe Petrit Vasili.
Propozimi i opozitës për qeveri kujdestare
PD ka hedhur propozimin për një qeveri kujdestare, e cila do të formohet 100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare dhe do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara Presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në propozim.



