
Kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, ketë të dielë në Paris për të festuar 60 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Elysee. Ky traktat midis Francës dhe Gjermanisë, i firmosur në vitin 1963, hodhi themelet për një bashkëpunim të ngushtë dypalësh midis dy ish-armiqve.
Kancelari Scholz tha se e ardhmja e Evropës mbështetet në forcën “lëvizëse” të Parisit dhe Berlinit.
E ardhmja, ashtu si e kaluara, mbështetet në bashkëpunimin mes dy vendeve tona si forca lëvizëse e një Evrope të bashkuar. Le të përdorim miqësinë tonë të pandashme.
Ndërsa Macron i tha audiencës se Gjermania dhe Franca tashmë i kishin lënë pas mosmarrëveshjet e të shkuarës dhe se janë gati të punojnë bashkë për një Evropë më të mirë.
Ekziston nevoja për të inkurajuar "inovacionin dhe teknologjitë e së nesërmes" dhe për të siguruar që Bashkimi Evropian të jetë "një fuqi gjeopolitike më vete, në mbrojtje, hapësirë dhe diplomaci. Franca dhe Gjermania e kanë pastruar rrugën drejt pajtimit dhe për këtë arsye duhet të bëhen pionerët që do të rindërtojnë Evropën.
Gjatë ditës, kabineti francez dhe ai gjerman morën pjesë në një Këshill të përbashkët të Ministrave në Pallatin Elysee.
Dy raundet e bisedimeve u fokusuan në politikën energjetike dhe ekonomike si dhe në sigurinë e mbrojtjen. Ndihma ushtarake për Ukrainën ishte gjithashtu në rendin e diskutimeve të ditës.



