
Një tërmet i fortë goditi kryeqytetin sot rreth orës 11:01. Epiqendra e tërmetit ka qenë fshati Hamallaj në Durrës.
Lëkundjet me magnitudë 5.1 ballë shkaktuan panik te njerëzit, të cilët braktisën shtëpitë dhe institucionet duke dalë në rrugë. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë më shumë në katet e sipërme të ndërtesave.
Paniku përfshiu edhe Kuvendin, ku janë ndërprerë të gjitha mbledhjet e Komisioneve, ndërsa ndërtesa e Ministrisë së Bujqësisë pësoi plasaritje në murin e jashtëm.
Një tjetër lëkundje e fortë tërmeti është regjistruar në Tiranë rreth orës 13:24. Qendra Europiane Sizmiologjike ka njoftuar se tërmeti ka qenë me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter dhe epiqendra ka qenë 30 km në veriperëndim të Tiranës. Sizmiologët parashikojnë lëkundje të tjera gjatë orëve në vijim.
Nga informacionet e grumbulluara nga Qendra Kombëtare Operacionale pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA deri në orën 12:30 janë konstatuar:
1. Rënia e një çatie në një banesë të braktisur, njësia administrative Manzë
2. Në Yrshek, Kashar, i është çarë muri i një banese
3. Në Marqinet, Bashkia Vorë, raportohet dëmtimi i çatisë së një banese.
4. Në lagjen Dyl Haxhire Myzyri, pallati nr. 8 ka plasaritje të mureve.
5. Njësia Cudhi, Bashkia Krujë është plasaritur një banesë.
6. Fshati Brret, Bashkia Krujë një banesë e plasaritur.
7. Plasaritje e një supermarketi në lagjen 17, Bashkia Durrës. Nga komunikimi me qarqet Fier, Shkodër, Vlorë, Lezhë, Berat, Kukës etj. nuk janë raportuar dëme në objekte dhe lëndime në njerëz.



