Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë natës kanë shkaktuar probleme të shumta në qytetin e Lezhës. Sistemi i kanalizimeve nëntokësore nuk ka arritur të përballojë prurjet e larta të ujit, duke bërë që në disa zona urbane uji të dalë në sipërfaqe dhe të shkaktojë përmbytje.
Më të prekura kanë qenë blloqet e banimit “11 Janari” dhe zona “11.2 hektarë” në lagjen Besëlidhja, ku prezenca e ujit në rrugë ka vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.
Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Policia Bashkiake ka bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore, duke orientuar mjetet drejt rrugëve alternative për të garantuar sigurinë e lëvizjes.
Në ngadalësimin e shkarkimit të ujërave ka ndikuar edhe projekti në zbatim për rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, i nisur prej disa muajsh, i cili synon zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve në qytetin e Lezhës.
Si pasojë e motit të keq, janë shfaqur gjithashtu probleme me furnizimin me energji elektrike, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale.
Grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin sa më të shpejtë të energjisë në zonat e prekura.



