
Ka përfunduar në Kosovë numërimi i të gjitha votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Tanimë është afati për ankimime dhe më pas pritet të bëhet certifikimi i rezultateve.
Sipas shifrave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 396.022 vota apo 42.27 për qind. Partisë që ka qeverisur katër vjet do t’i takojnë 48 vende në Kuvend.
Kjo do të thotë se do ta ketë të vështirë formimin e Qeverisë pa koalicion. Gjithashtu, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, është bërë njeriu më i votuar ndonjëherë në Kosovë me mbi 337 mijë vota.
Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196.353 vota apo 20.96 për qind dhe do t’i ketë 24 mandate.
Lidhja Demokratike (LDK) me 171.249 vota apo 18.28 për qind do t’i ketë 20 deputetë.
E Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66.226 vota apo 7.07 për qind në Kuvend do të përfaqësohet nga tetë deputetë.
Për herë të parë, Lista Serbe nuk do t’i ketë 10 vende, por 9 të tilla. Një mandat nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiçit.



