Xhulio Prela, efektivi i FNSH i vrarë mëngjesin e sotëm në Lezhë mësohet se ka qenë në Aeroportin e Rinasit për të marrë një shokun e vëllait të tij, i cili vinte nga Anglia së bashku me të motrën. Në mesnatë është kthyer me ta nga aeroporti dhe i ka dërguar deri në Shkodër. Menjëherë më pas ai është kthyer dhe gjatë rrugës Lezhë-Milot teksa po kalonte ka parë një automjet, ku një person që kishte dalë nga makina po i bënte me drita me një elektrik dore.
Prela është rikthyer serish me automjetin në drejtim të Lezhës ku i është afruar personi me elektrik tek dera e pasagjerit. Prela ka hapur xhamin dhe disa sekonda më pas ai ka tentuar të largohet kur në ato momente i është afruar një person tjetër duke e qëlluar me një plumb në zemër.
Xhulio Prela, sipas burimeve nga Policia kishte dalë nga shtëpia e tij pas një telefonate të marrë, ndërsa në autostradë autorët e kanë ndaluar dhe e kanë qëlluar me pistoletë. 26-vjeçari sapo e ka konstatuar është munduar të largohet, por një plumb e ka kapur në afërsi të zemrës çka i shkaktoi më pas edhe vdekjen. Automjeti i tij përfundoi jashtë rrugës kryesore, gjë e cila bëri që në fillim kjo ngjarje të raportohej si një aksident. Gjatë kontrolleve në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja dhe një celular.
26-vjeçari me origjinë nga Puka ishte student në Akademinë e Policisë Tiranë në vitin e 3-të. Prela ka punuar dy vite në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa prej një viti ishte transferuar në FNSH-në Shkodër. Ndërkohë, FNSH Shkodër dhe forcat speciale RENEA kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.



