
Një zyrtar rus është arrestuar në Itali me kërkesë të SHBA-ve, me dyshimin për spiunazh ekonomik. Lajmin e bën të ditur faqja Fontanka.ru.
Alexander Korshunov, 57 vjeç, drejtuesi i zhvillimit të biznesit në konglomeratin shtetëror Rostec, Korporata e Bashkuar e Motorëve (UEC), u arrestua të martën sapo mbërriti në Napoli nga Moska. Ai është akuzuar për përvetësim të pronësisë intelektuale dhe dokumenteve të General Electric për një program motori avioni rus, njoftoi e përditshmja e biznesit “Vedomosti”.
"Ai është akuzuar për vjedhje të disa sekreteve", tha Presidenti Vladimir Putin të enjten në një forum ekonomik në Lindjen e Largët Rusi, duke shtuar se arrestimi dukej si i motivuar nga ajo që ai e quajti konkurrencë të padrejtë.
Putin tha që UEC kishte zhvilluar një motor të ri rus dhe kishte lidhur një kontratë me një firmë konsulente italiane.
"Është punë e hapur tregtare, një praktikë globale. Tani partnerët amerikanë pretendojnë se diçka u është vjedhur”, tha Putin.
Ndërkohë, ambasada ruse në Uashington i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit që të tërheqë kërkesën për ekstradim për Korshunov.
Ministria e Jashtme e Italisë nuk ka pranuar të bëjë komente në lidhje me këtë çështje.
UEC prodhon motorë për avionë civilë dhe ushtarakë, si dhe turbina energjetike. Konglomerati shtetëror rus Rostec, i cili zotëron prodhuesin e motorit, tha se Korshunov ishte i pafajshëm për çdo akuzë.



