
Është mbajtur sot në Lezhë, Asambleja e jashtëzakonshme e Shoqatës së Bashkive të vendit.
Kjo shoqatë në mbledhjen e sotme, ka shkarkuar Voltana Ademin nga detyra e drejtueses dhe në vend të saj është zgjedhur kreu i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.
“Kjo është Asamble e Jashtëzakonshme e mbledhur sipas statutit nga 1/5 e anëtarëve. Në Asamble marrin pjesë kryetarët e bashkive, të 15 bashkive dhe kryetarët e këshillave bashkiakë. Nga 30 morën pjesë 23. Zgjodhëm ekipin drejtues të shoqatës e cila kishte dy vite që nuk mblidhej, asnjë nga anëtarët nuk vihej në dijeni. Kërkuam mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë. Pas propozimeve dhe votimeve u zgjodh kryesia e shoqatës e përbërë nga tre vetë, unë u zgjodha kryetar. Ne nuk merremi me fantazira, në shoqata aderojnë bashkitë dhe jo kryetarët, nuk ka të bëjë me emrin e kryetarit, nuk kanë të bëjnë emrat“, u shpreh kryetari i ri i shoqatës, Pjerin Ndreu.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme, ku nënkryetarë u zgjodhën Alma Hoxha dhe Ilir Xhakolli.
Më herët Voltana Ademi u ka dёrguar njё letёr ambasadorёve duke u shprehur se anёtarё tё Partisё Socialiste kanё bёrё tentativё pёr tё kapur shoqatёn.
Ademi ka theksuar gjithashtu, se zotёron njё e-mail nё tё cilin shprehet qëllimi për të zgjedhur të ashtuquajtura “organe te reja drejtuese të shoqatës” para zhvillimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, e cila zhvillohet më datë 23 qershor 2021.



