Pasi kryeministri Rama bëri publike detajet e paketave të ndihmës financiare për bizneset e të dy kategorive, pyetja që u ngrit nga shumica ishte: si do të veprohet me ata që kanë punuar në të zezë? Uran Derri, konsulent financiar dhe sipërmarrës, thotë se kjo kategori do të mbetet pa përkrahje financiare. Në studion e “Stay Tunned”, ai u shpreh se për këta punonjës nuk sjell rezultat as denoncimi i punëdhënësve, një rrugë kjo e sugjeruar nga kryeministri Rama.
“Edhe kjo shtresë, përsa i përket biznesit të madh, këta nuk përfshihen fare. Janë në mëshirë të biznesit të madh ose në mëshirë të fatit të kompanisë ku ata punojnë. Edhe këta që janë në të zezë, që punojnë në bizneset e vogla, që sipas kryeministrit duhej të përfitojnë pagën e luftës, ne po shohim de fakto se që një pjesë e mirë e tyre, por edhe ata që ishin të regjistruar nuk po përfitojnë sepse biznesi po refuzohet për të përfituar këtë pagë. Punonjësit në të zezë qoftë në biznesnin e madh apo të vogël, nuk shoh dritë jeshile që ata të kenë përfitime. Nuk është zgjidhje denoncimi. Unë ju denoncoj ju që nuk me keni siguruar, ju do të thoni nuk jeni punonjësi im. Nuk shoh zgjidhje për këta”, tha ai.



