
Qeveria e Kosovës ka miratuar shndërrimin e FSK-së në Ushtri. Kabineti “Haradinaj” ka mbështetur kështu tre propozime të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.
Me këto projektligje, sipas tij, FSK-ja merr detyra të reja dhe Ministria e FSK-së avancon në Ministri të Mbrojtjes.
Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi nuk duket se e mbështet këtë transformim, të cilin e ka propozuar edhe vetë një vit më parë. I pyetur sot nga gazetarët në lidhje me këtë çështje, Thaçi tha se propozimi i tij i para një viti dallon nga rrethanat aktuale.
"Një veprim i anshëm çon në izolim, një veprim i koordinuar i hap rrugë të sigurt zhvillimit, forcimit, lëvizjes së stabilitetit për paqe dhe pastaj edhe në NATO. A kemi të drejtë, kemi të drejtë, a duhet të lëvizim, duhet të lëvizim, por me një proces plotësisht të koordinuar me ShBA-të dhe NATO-n. Çdo lëvizje tjetër mund të jetë vetëm ngatërresa dhe mund të sjellë pështjellime politike të panevojshme, por edhe implikime negative ndërkombëtare në raport me të ardhmen e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Thaçi e propozoi një ndryshim të tillë në prill të vitit 2017, por e tërhoqi atë pasi nuk gjeti mbështetjen e ndërkombëtarëve. Propozimi i Thaçit u tërhoq pa mbërritur për shqyrtim në Parlament, me argumentin se transformimi i FSK-së duhej bërë përmes ndryshimeve kushtetuese, ku do të përfshiheshin në bisedime faktori ndërkombëtar dhe komuniteti serb.
Transformimi i FSK-së në Ushtrinë e Kosovës pritet të rindezë edhe debatet me Beogradin. Serbia e sheh këtë shndërrim si rrezik për paqen në rajon. Në një deklaratë dy muaj më parë, presidenti Aleksandër Vuçiç e ka cilësuar të rrezikshëm formimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Nuk do të donim që serbi të qëllojë mbi serbin, sepse për çka tjetër shërben ajo ushtri? Pse, a mos do t’i sulmojnë shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Maqedoni apo shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, me të cilët kufizohen? Kë do ta sulmojnë? Kjo ka kuptim vetëm nëse ata do të niseshin kundër serbëve dhe Serbisë”, ka deklaruar Vuçiç.



