Ish-presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker ka kritikuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke e cilësuar vendin si masivisht "të korruptuar".
“Kushdo që e njeh Ukrainën e di se ky është një vend i korruptuar në të gjitha nivelet e shoqërisë. Pavarësisht përpjekjeve të saj, ajo nuk është gati për anëtarësim; ajo ka nevojë për procese masive të reformave të brendshme”, tha Juncker gjatë një interviste me gazetën gjermane Augsburger Allgemeine të publikuar të enjten.
“Të bësh premtime të rreme” për ukrainasit në lidhje me pranimin në BE “nuk do të ishte as mirë për BE-në dhe as për Ukrainën”, shtoi Juncker.
"Jam shumë i zemëruar për disa zëra në Evropë që u thonë ukrainasve se mund të bëhen anëtarë menjëherë", u shpreh ish-presidenti i Komisionit Evropian.
Anëtarësimi në BE për vendet aspirante si Ukraina dhe Moldavia duhet të lidhet me "reformat e brendshme" dhe të mbështetet nga një "shumicë e kualifikuar", argumentoi Juncker.
Shefja aktuale e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, janë të dy shumë më pozitivë se Juncker për pranimin e Ukrainës në union.



