Një tjetër gomone me kanabis është sekuestruar nga policia italiane në Pulia. Mjeti lundrues është kapur pas sinjalizimit të policisë kufitare shqiptare. Në pranga janë vënë dy skafistët, njëri nga Durrësi dhe tjetri nga Kavaja.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit. Tjetër operacion i përbashkët në det. Bie në rrjetën e bashkëpunimit mes dy policive një tjetër gomone me lëndë narkotike. Në orët e pasdites së djeshme pas sinjalizimit nga Policia Kufitare Shqiptare për një gomone që lëvizte me shpejtësi në drejtim të Italisë, Frontex me një avion portugez të patrullës, Guardia di Finanza e Pulias me një helikopter dhe dy njësi detare me mbështetjen e Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë, kanë bërë të mundur bllokimin e një gomoneje 7 m të gjatë me dy motorë nga 150 kuaj/fuqi në afërsi të Viestes, Foxhia. Pas sinjalizimeve nga Policia Kufitare Shqiptare, avioni i Frontex e intercepton në det dhe Guardia di Finanza e Pulias pas 4 orë ndjekje i kap në Vieste rreth orës 18.30 të mbrëmjes së djeshme. Sekuestrohet lënda narkotike e tipit marjuanë rreth 800 kg e ndarë në 42 pako si dhe gomonia. Arrestohen në flagrancë dy skafistët shqiptarë me iniciale V.T, 21 vjeç nga Kavaja dhe D.B. 32 vjeç nga Durrësi. Vijojnë hetimet e përbashkëta për kapjen e bashkëpunëtorëve .



