
Arrestohet Drejtori i Zonave të Mbrojtura në Lezhë, Pjetër Toni, si dhe dy inspektorë. Burime nga policia bëjnë të ditur se Prokuroria ka lëshuar urdhër arresti, pasi në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit prej disa javësh po hidheshin inerte.
Rasti u denoncua në një emision investigativ, i cili është bërë edhe shkak për nisjen e hetimeve.
Ndaj të ndaluarve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Lezhës, me kërkesë të Prokurorisë, pas një hetimi disa javor, për hedhjen e inerteve në mënyrë të paligjshme dhe tjetërsimin e pronave në zonën e mbrojtur të lagunës Kune-Vain.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, operacioni i koduar “Tjetërsimi i Lagunes” për goditjen e veprimtarive të paligjshme në zonat e mbrojtura.
Vihen në pranga drejtori dhe 2 punonjës të AdZM Lezhë. Shpallet në kërkim 1 punonjës tjetër.
Operacioni është në vijim, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në kuadër të planit të masave për ruajtjen e zonave të mbrojtura nga veprimtaritë e paligjshme, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara se në zonën e mbrojtur “Laguna Kune-Vain” po kryhej veprimtari e paligjshme, pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tjetërsimi i Lagunes”.
Si rezultat i këtij operacioni janë ndaluar 3 shtetas, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 03.06.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht:
- P. T., 61 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë drejtor i AdZM Lezhë;
- A. Ll., 27 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë specialist i Sektorit të Monitorimit pranë AdZM Lezhë;
- T.Gj., 63 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë roje mjedisore i AdZM Lezhë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit P. N., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në AdZM Lezhë.
Këta shtetas nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune- Vainit, konkretisht në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.
Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



