
Instituti i Prishtinës për Studime Politike ka publikuar hulumtimin “Nyja e Pazgjidhur: Si duhet t’i qaset Kosova 5-shes mosnjohëse të BE-së”, përmes së cilit ka kërkuar riformulimin dhe riorganizimin diplomatik të Kosovës. Një përpjekje e domosdoshme sipas institutit, për të garantuar një qasje më produktive ndaj këtyre vendeve të Bashkimit Europian.
“Njohjet diplomatike janë një nga prioritetet kyçe të politikës së jashtme të Kosovës. Njohjet ndërkombëtare varen shumë nga strategjia diplomatike e politikës së jashtme", thuhet në raportin e studimit, i cili argumenton se njohjet nga 5 vendet mosnjohëse janë të një rëndësie të veçantë duke marrë parasysh qëllimet gjeostrategjike të Kosovës si dhe aspiratat e saj në integrime euro-atlantike.
Për shkak të suksesit të limituar përgjatë dhjetë viteve të fundit është krijuar nevoja që Kosova të riformulojë dhe riorganizojë arsenalin e saj diplomatik për një qasje më produktive në raport me 5-shen e vendeve që nuk kanë njohur Kosovën. Është e rëndësishme të theksohet se 5-shja e këtyre vendeve nuk është një bllok i unifikuar, por pesë shtete të ndryshme, të cilat e shikojnë ose vlerësojne Kosovën nga prizmi i tyre nacional, secila veç e veç në mënyrë individuale”.
Njohja nga Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, sipas Institutit të Prishtinës për Studime Politike do t'i hapte rrugën e integrimit më të shpejtë drejt Bashkimit Europian.
Megjithatë, për të kuptuar se pse këto shtete vazhdojnë të mos e njohin republikën e Kosovës, është tejet e rënëdsishme të kuptohet arsyeja prapa këtij qëndrimi", thekson raporti, sipas të cilit ekzistojnë dy argumente kryesore për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5-shja: mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe frika nga grupet separatiste.



