Kompania e inteligjencës artificiale Anthropic ka pezulluar modelet e saj më të avancuara, Claude Fable 5 dhe Mythos 5, pas shqetësimeve të ngritura nga autoritetet amerikane për sigurinë e tyre. Sipas kompanisë, urdhri kërkon kufizimin e aksesit për shtetasit e huaj, duke e detyruar Anthropic të çaktivizojë përkohësisht modelet për të gjithë përdoruesit.
Anthropic sqaroi se autoritetet nuk kanë identifikuar rreziqe specifike, por dyshohet se janë informuar për një metodë “jailbreaking”, e cila mund të anashkalojë kufizimet e sigurisë së sistemit. Kompania tha se testimet e saj zbuluan vetëm disa dobësi të vogla, të cilat mund të identifikohen edhe nga modele të tjera të inteligjencës artificiale.
Para lançimit, Anthropic kishte paralajmëruar se Claude Fable 5 ishte jashtëzakonisht i fuqishëm dhe kishte vendosur masa të veçanta mbrojtëse për të parandaluar përdorimin keqdashës, përfshirë sulmet kibernetike. Modeli u testua fillimisht në mënyrë private nga një numër i kufizuar organizatash për shkak të aftësive të tij të avancuara.
Ndërkohë, Anthropic është përfshirë edhe në një përplasje ligjore me administratën e Donald Trump. Kompania po kundërshton një vendim të Pentagonit që e cilësoi atë si një “rrezik për zinxhirin e furnizimit”, një etiketim që zakonisht u rezervohet kompanive nga vende armiqësore. Megjithatë, gjykata amerikane ka bllokuar përkohësisht zbatimin e këtij vendimi, duke lejuar agjencitë qeveritare të vazhdojnë përdorimin e teknologjisë së Anthropic derisa procesi gjyqësor të përfundojë.



