Një person në Vaun e Dejës i cili kishte përshtatur lokalin për përdorim droge dhe për lojëra fati, ka përfunduar në prangat e policisë.
Si rezultat i operacionit të koduar “Stajka”, u arrestua në flagrancë Alfred Palushi, 39 vjeç, banues në fshatin Stajkë.
Gjatë kontrollit të një subjekti bar-kafe, në përdorim nga i ndaluari, në fshatin Stajkë, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, një valixhe me çipsa pokeri dhe letra bixhozi, të cilat përdoren për lojëra fati.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e policisë gjetën edhe një sasi tjetër lënde narkotike kanabis, fara të dyshuara kanabis dhe një thikë.
Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”, “Organizim i lojërave të fatit”.



