Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti nuk arriti dje të bindte deputetët për të marrë 61 votat e nevojshme për krijimin e qeverisë Kurti 3. Duke folur mbi këtë çështje në edicionin e lajmeve në Mcn Tv deputetja e PDK-së Blerta Deliu fajësoi Albin Kurtin për situatën, i cili sipas saj ka qenë njeri përçarës, arrogant dhe i ka cilësuar liderët e opozitës si hajvanë. Ndër të tjera Deliu zbulon se Kurti po mendonte ta zhvendoste Dimal Bashën nga kryetar të Kuvendit në anëtarë të qeverisë, nëse ajo do të formohej.
“Dje u dëshmuan se përpjekjet për të formuar qeverinë kanë qenë të kota, pasi votat në Parlament kanë qenë 56. Ndërkohë që ne kemi dëgjuar qëndrime të VV-së për muaj me radhë që i kanë numrat për qeverinë. Deklarimet e Kurtit kanë qenë të kota. Përgjegjësi që ka dështuar të krijojë ura të bashkëpunimit dhe bashkërendimit me partitë e tjera politike, për t’i dhënë drejtim qeverisë së re të Kosovës.
Ishin 48 numra që mori partia me numrin më të madh të mandateve, LVV. Mënyra si Kurti dhe LVV janë sjellë me parti të tjera, duke i cilësuar si hajvanë, me polarizim të skajshëm të gjuhës politike dhe arrogancë të thellë për bashkërendimin për ndonjë axhendë...Ne kemi qenë shumë të hapur për diskutime.
Kemi shkuar në të gjitha takimet e thirrur nga Kurti dhe Osmani. Kemi bërë hapin tjetër, kemi votuar Dimal Bashën që t’i hapim rrugë krijimit të institucioneve të reja. Dje emri i Dimal Bashës ishte emri që Kurti kishte vendosur ta ketë kandidat në listën e kabinetit Kurti 3 me 20 ministra. Si mund të shkojë arroganca në atë masë, që ta zhvendosë nga ulësja e Kuvendit dhe ta degdisë në një pozicion qeveritar.
Për shkak të një njeriu që ndër vite ka përçarë, ka polarizuar skenën politike të Kosovës, deri në veprime të dhunshme, s’ka krijuar ura me partnerët. S’mundet që në seancën e fundit të apelosh te partitë e opozitës për interesin e Kosovës, por këtë duhet ta shihte me mbarimin e zgjedhjeve. Ne rrezikojmë të mbetemi pa buxhet dhe pa paga për shkak të egos së një njeriu. Humbja është e qytetarëve të Kosovës”.



