Politologu Ilir Kalemaj tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se në Shqipëri kemi të bëjmë me një liderokraci, ku promovohen figura të panjohura në ekzekutiv.
Sipas Kalemajt Bajram Begaj është Presidenti më dobët në tre dekada, duke vepruar si noter i qeverisë.

"Rama e ka kuptuar me kohë që më e rëndësishme është të bësh sikur si qeveris, se sa të qeverisë. Më e rëndësishme se kjo llogaridhënie në Parlament, mund të jenë udhëtimet me charter-a, prerja e shirtave për tunelin e Llogarasë dhe vepra të tjera me fatura të fryra, apo projekte që nuk sjellin rentabilitet ekonomik, apo të bëjë fushatë elektorale brenda vendit apo në diasporë. Kemi një formë piramidale të të qeverisurit. Rama dy mandate e ka patur tepsinë krejt për vete, s’ka pasur zëra kundër në partinë e tij, dhe kjo i ka dhënë luksin që të fokusohet 200 për qind te PR, apo propaganda. Kjo është liderokraci, s’është partitokraci, apo klientlizëm. S’mund të quhet as parti karizmatike, sepse kemi një ndarje të qartë të partisë nga roli në ekzekutiv. Lideri promovon edhe figura të panjohura në ekzekutiv, që mund të kenë qenë drejtorë në bashki, apo i merr përmes të tretëve. Promovohen persona për shkak të afiliacioneve me liderin dhe krijojnë katapulte politike. Ky president që kemi s’ka asnjë fuqie”.
Duke folur mbi kreun e shtetit, Kalemaj tha:
"Presidenti aktual për shkak të oponencës ndaj ekzekutivit është më i dobëti në këto tre dekada kusur. Ndoshta një socialist, i zgjedhur nga z.Rama, do kishte bërë më shumë oponencë. Ka shkuar me pushime duke marrë me vete parukiere dhe një dyzinë me biznesmenë, për këto gjëra e njohim Presidentin, s’e di të këtë bërë një gjë tjetër. Një president që është vetëm një noter i akteve të qeverisë, mendoj që është zgjedhja më e mirë që mund të bënte z.Rama”.
Shpalljen e zgjedhje të parakohshme, politologu e konsideroi kronikë të një ngjarjeje të paralajmëruar, ku do shihet sa e fortë është PD-ja.
"Kjo ishte një kronikë e një ngjarje të paralajmëruar, zgjedhjet në Himarë. Ajo që i takon opozitës është të vendosë një kandidatë fitues dhe të triumfojë nëse mundet, nëse jo, do kemi një përsëritje të skenarit të Rrogozhinës dhe Kukësit. Këtu do shihet sa e fortë është kjo opozitë. Kjo është barra e provës për opozitës”.
I pyetur në lidhje me arrestimin e Beqajt, Kalemaj tha:
"Që në momentin që Beqaj u emërua në detyrë, i varën ujkut mëlçitë në qafë. Pradoksale është masa e sigurisë, që për aferën qindra milionë dollarë, ai akuzohet për shpërdorim detyre, dhe në rastin më të mirë s’do t’i sekuestrohen asetet. Gjithë kjo frikë që kemi me komisionin Xhafa, është që të hiqet shpërdorimi i detyrës nga SPAK-u dhe t’u kalojë prokurororive të rretheve. Nuk e shoh si lëshim të z.Rama, apo mbrojtje të veçantë. Z.Rama e ka thënë që në krye të herës që të gjitha janë përgjegjësi individuale. Nëse z.Rama ruan apo s’ruan marrëdhënie klienteliste, ky është problem i z.Rama. Ka shumë elementë si z.Dako, z.Koka që ishin makineri elektorale. S’i dimë raportet private të z.Rama me këta individë”.



