
Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski është arratisur jashtë vendit. Përmes një njoftimi në profilin e tij në “Facebook”, Gruevski njoftoi se gjendet në Budapest të Hungarisë, ku ka kërkuar azil politik.
Ish-kryeministri i Maqedonisë është dënuar me 2 vite burg për shpërdorime financiare. Ai e ka kundërshtuar vendimin, duke thënë se po përndiqet politikisht dhe se po shantazhohet për të votuar Marrëveshjen për Maqedoninë e Veriut. Gruevski është shpallur fajtor nga gjykata për blerjen e Benzit 600 mijë euro.
Mbrëmjen e së hënës, policia nuk arriti ta arrestonte Gruevskin. Policia ka dështuar disa herë në përpjekjet për ta gjetur ish-kryeministrin e dënuar. Megjithatë, ministri i Brendshëm, Oliver Spaskovski, thotë se përgjegjësinë për këtë dështim duhet ta marrë gjykata, për shkak se nuk caktoi masën e paraburgimit.



