Mjekja shqiptare, Eneida Doko e cila jetonte dhe punonte në Gjermani, humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë. Makina e saj tip “Mercedes GLA”, rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së enjtes humbi kontrollin e makinës në rrugën Ammerlander, ndërsa goditi një ndarëse trafiku dhe u përplas me një shtyllë betoni. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë shpjeguar se makina u rrotullua dhe përfundoi më pas në një kanal.

(Makina me të cilën udhëtonte 34-vjeçarja Eneida Doko )
Ndihma e parë mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, por Eneida Doko nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda. Partneri i saj prej katër vitesh, Thorsten Wassermann, 48 vjeç foli për gazetën gjermane BILD duke rrëfyer planet që kishin për të ardhmen.
“Ajo ishte një yll që ndriçonte dhe përçonte lumturi e dashuri kudo. Ne donim të martoheshim, të bënim fëmijë. Ishte e aftë të fliste pesë gjuhë dhe ia doli që të mësonte gjermanishten në mënyrë të përsosur brenda një viti. Për të ishte shumë e rëndësishme që ti fliste njerëzve për vendlindjen e saj, Shqipërinë”, rrëfeu Wassermann.

(Thorsten Wassermann, i dashuri i viktimës)
Eni Doko u largua nga Shqipëria në vitin 2016 për të bërë specializimin për psikiatri në Gjermani. Një prej kolegëve të saj shkroi në Facebook se mjekja shqiptare ishte e fokusuar të ndihmonte të tjerët dhe ishte një person me energji. Po hetohet nëse shkaku i aksidentit ishte rrëshqitja, shpejtësia e tepërt ose të dyja bashkë.

(Vendi ku ndodhi aksidenti)



