
Presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi tërheqjen e forcave franceze që luftojnë me militantët islamikë në Mali në rajonin e trazuar të Sahelit të Afrikës gjatë një konference shtypi të enjten. Macron tha se operacioni antiterror i Francës në Afrikën Perëndimore do të shkrihet në një mision më të gjerë ndërkombëtar.
"Ne do të bëjmë tërheqje në mënyrë të organizuar", tha Macron, duke shtuar se detajet do të finalizohen në fund të qershorit.
"Ne do të duhet të mbajmë një dialog me partnerët tanë afrikanë dhe evropianë. Do të mbajmë një kolonë antiterrorizmi me forca speciale me disa qindra forca ... dhe do të ketë një shtyllë të dytë që do të jetë bashkëpunimi, të cilin do ta ofrojmë".
Macron tha se Franca nuk mund të punojë me qeveritë në Sahel që vazhdojnë të negociojnë me militantët islamikë.
Franca aktualisht ka 5 100 trupa në rajonin e Sahelit, i cili shtrihet në të gjithë Afrikën nën shkretëtirën e Saharasë duke përfshirë Burkina Faso, Çad, Mali, Mauritania dhe Niger.
Macron ka kërkuar për vite me radhë që shtetet e tjera perëndimore të ndajnë me Francën barrën e operacioneve të sigurisë.
Ai është përballur me presion brenda vendit për t’i dhënë fund vendosjes së trupave që filloi në janar 2013, ndërsa në vetë rajonin e Sahelit prania e forcave franceze refuzohet nga disa politikanë, që e shohin rikthim kolonial.



