Prilli parashikohet të jetë muaji kur për familjet shqiptare do të reflektohen vështirësitë financiare që ka krijuar situata e pandemisë së Covid-19. Në një analizë të situatës ekonomike, në studion e lajmeve në TvT, gazetari Klodian Tomorri tha se pagesat e marsit nuk është e vështirë të likujdohen nga bizneset, ndërsa shtoi se rruga më e mirë që qeveria mund të ndjekë për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë humbur punën për shkak të mbylljes së biznesve është pagesa kesh.
“Ne dimë vetëm që qeveria ka vendosur 100 milionë euro si fond për garancitë që bizneset mund të marrin kredi duke vënë emrin e qeverisë dhe me to të shlyejnë rrogat e punonjësve. Pjesa e dytë instrumenti 55 milionë euro që qeveria thotë se e ka për të adresuar krizën. Më shumë se marsi, problem do të jetë muaji tjetër. Në mars, edhe ata që e kanë humbur punën mund ta marrin pagën ose mund të rregullohen përmes marrjes së lejes së detyrueshme. Problem më i madh mund të jetë muaji prill. Transferta direkte në kesh konsiderohet nga shumë ekonomistë si rruga më e mirë për situata të tilla. Transfertat kesh bëjnë të mundur vijimin normal të jetesës. Edhe në Shqipëri do të ishte mënyra më e mirë për të përballuar efektet sociale që ka shkaktuar epidemia”, tha ai.
Sipas Tomorrit, në bazë të përllogaritjeve, familjeve që kanë nevojë për mbështetje financiare do t’u duhej një fond prej 70-80 milionë euro në muaj.
“Me përafërsi nëse kemi 350 mijë familje që janë prekur direkt nga kriza, për shkak se kryefamiljarët kanë humbur punën, këto familje mund të asistoheshin me 200-300 euro për familje. Kjo do të kërkonte 70-80 milionë euro në muaj”, tha ai.
Sa i takon mbështetjes përmes lehtësimit të pagesave të energjisë, Tomorri tha se qeveria nuk ka shumë hapësirë për të manovruar, kjo për shkak të krizës në të cilën ndohet vetë sistemi energjetik në Shqipëri.
“Kamatë-vonesat janë falur. Tarifat e reduktuara mund të jenë një instrument. Por edhe pzullimi i përkohshëm i pagesës së faturave, por kjo duhet parë se çfarë efektesh do të shkaktonte. Kjo sepse të gjitha kompanitë e zinxhirit publik të sistemit energjetik janë në krizë financiare për shkak të thatësirës së vitit të kaluar. Janë kompani që kanë borxhe të mëdha dhe nëse qeveria do t’u priste mundësinë e arkëtimit të parave, atëherë do të viheshin në vështirësi akoma më serioze”, tha ai.
Sipas Tomorrit, afati më i pranueshëm për të mos pasur pasoja të rënda në ekonominë e vendit është 3 muaj. “Na mbetet të shpresojmë që kjo krizë të mos zgjasë më shumë se 3 muaj”, tha ai.



