Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe dhe i ati janë plagosur me armë zjarri mesditën e sotme.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Shkodër-Koplik, në vendin e quajtur "5 heronjtë", ku nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar në drejtim të Mento Hasanajt dhe babait të tij, Xhelal Hasanaj.
Sipas të dhënave të para, Mentor Hasanaj është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa mbetet e paqartë gjendja e të atit.
Të dy të plagosurit janë dërguar në spital. Ndërkohë, nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes dhe identiteti i autorëve.
Njoftimi i policisë
Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.
Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t'i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indentifikimin e autorit



