
Dita e Pavarësisë së Ukrainës, e cila shënon sot 31 vjet që kur vendi u shkëput me Bashkimin Sovjetik, pritet të jetë një çështje e zymtë pasi zyrtarët paralajmërojnë se Rusia mund të kryejë sulme me raketa kundër qyteteve të Ukrainës.
Ndërsa vitet e mëparshme janë shënuar me festime dhe parada, përkujtimi i së mërkurës vjen saktësisht gjashtë muaj pas fillimit të pushtimit rus të vendit.
Duke folur gjatë një fjalimi kombëtar të martën mbrëma, Zelensky tha se sot është një ditë e rëndësishme për kombin, por edhe për armikun.
Ai theksoi se do të jenë në vigjilencë për provokime të mundshme. Zelensky njoftoi se janë ndaluar të gjitha tubimet në Kiev, pasi zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas paralajmërojnë se Rusia po përgatitet të sulmojë edhe një herë kryeqytetin.
“Nesër (sot) është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. Dhe prandaj kjo ditë, për fat të keq, është e rëndësishme edhe për armikun tonë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nesër janë të mundshme provokimet e tmerrshme ruse dhe sulmet brutale. Autoritetet kanë ndaluar tubimet masive në Kiev pasi zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas paralajmërojnë se Rusia po përgatitet të sulmojë edhe një herë kryeqytetin”, tha presidenti.
Kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Gjeneral Major Mykola Zhyrnov, tha se ngjarjet janë ndaluar në kryeqytet dhe qytete të tjera në mënyrë që forcat e sigurisë të mund të përgjigjen në mënyrë më efikase ndaj sulmeve të mundshme ruse.
Në vend të një parade, automjete ushtarake ruse të shkatërruara dhe të kapura, përfshirë tanke, u vendosën në Khreshchatyk, rruga kryesore e Kievit, si një testament i përpjekjes së dështuar të Moskës për të kapur kryeqytetin në javët e para të luftës.



