
Ndërkohë që protesta e studentëve vijon para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesa për dialog. Burime nga Kryeministria informojnë se një grup i ngushtë pranë kryeministrit Rama po punon intensivisht për përgatitjen e dialogut.
Të njëjtat burime flasin për elementë surprizë që do t'u shtohen pikave të studentëve.
“Kryeministri është gati që për të 8 pikat të nisë zbatimi me të nisur dialogu. Drafti i uljes së tarifave shkon përtej kërkesës së studentëve dhe pret firmën e Ramës për të shkuar drejt Kuvendit, vetëm pas nisjes së dialogut. Po ashtu është punuar për të gjitha pikat e tjera, në pritje të studentëve që duan të dialogojnë”, thonë burimet.
Burimet konfirmojnë gjithashtu se pa u hapur dialogu, kryeministri nuk ka ndërmend të lëvizë nga pozicioni i tij.



