Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ngritur ditët e fundit shqetësimin për rritjen e çmimit të librave shkollorë. Në një postim në “Facebook”, Basha u shpreh dje se “jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm jo vetëm nuk jepen falas, por janë shtrenjtuar çdo vit”.
Ministra e Arsimit, Lindita Nikolla, i është kundërpërgjigjur Bashës duke thënë se “dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj”.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Nikolla shkruan se “e zgjedhura e Bashës ka qenë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme”.
Postimi i plotë i Lindita Nikollës:
Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj!
Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qënë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re.
Prandaj po jua bëj me dije.
Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po ju informoj.
Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, une do ju kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar.
Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme.



