Kryeredaktori i Mcn Tv Leonard Mitro tha në edicionin e lajmeve se e gjen me vend mbështetjen e ndërkombëtarëve për drejtësinë, por vuri në dukje se ata duhet të tregohen të kujdesshëm për të mos krijuar perceptimin që janë të njëanshëm. Mitro tha se gjuha e Metës është “e papranueshme”, por theksoi po ashtu se partnerët ndërkombëtarë duhet të kishin treguar të njëjtin standard edhe kur Rama sulmonte SPAK-un. Mitro tha ndër të tjera se tonet e Metës nuk janë tregues i prezumimit të pafajësisë nga ana e tij, pasi këtë ish-Presidenti duhet ta tregojë para hetuesve në gjykatë, në rast se do të merret i pandehur.
Partnerët ndërkombëtarë janë një kapitull shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sidomos në këto 30 vite të tranzicionit politik, kjo edhe për shkak të mungesës së integritetit të klasës sonë politike, por edhe për shkak të mungesës së vullnetit të saj për ta përshpejtuar anëtarësimin e vendit në BE, dhe për të mos u nevojitur aq shumë ndërhyrja e ndërkombëtarëve për funksionimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e drejtësisë. Në këtë kontekst, ndërkombëtarët, kryesisht SHBA dhe BE, që janë nxitës të Reformës në Drejtësi, reformë kyçe kjo për të ardhmen e vendit, e gjej me vend çdo reagim të tyre në mbështetje të punës së Prokurorisë së Posaçme, por ndërkombëtarët duhet të jenë të kujdesshëm kur u referohen sulmeve të politikës sidomos ndaj drejtësisë, për të mos krijuar perceptimin që janë të njëanshëm në komentet që bëjnë lidhur me qëndrimet e faktorëve të ndryshëm politik.
Afërmendsh që gjuha e të fortit e përdorur nga një personazh me përvojë të madhe politike siç është Ilir Meta, që ka shërbyer si Kryeministër, President i vendit, por edhe në disa poste ministrash, është e papranueshme gjuha e të fortit përdorur kundrejt institucioneve të drejtësisë, por partnerët ndërkombëtarë ashtu siç reaguan për z.Meta, në mbështetje të Prokurorisë së Posaçme, mendoj që të njëjtin standard duhet të kishin treguar edhe kur kryeministri i vendit z.Rama ka sulmuar drejtësinë, dhe e ka sulmuar jo pak herë. Po përmend vetëm atë që z.Bardhi tha sot në Kuvend, sulmet e tij ndaj prokurorëvë të SPAK-ut, lidhur me koncesionin e bazës detare të Limionit në Sarandë, ku kryeministri sulmoi hapur dhe publikisht SPAK, as nga Ambasada Amerikane, Zyra Diplomatike e BE, apo Ambasada Britanike, s’pati asnjë reagim. Më flagrante akoma ka qenë deklarata e kryetares së Gjykatës Kushtetuese për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti, e bërë publikisht, por edhe dhënë për 'Zërin e Amerikës', në seksionin shqip, sërish nuk pati asnjë reagim nga partnerët ndërkombëtarë. Ndërkombëtarët, BE dhe SHBA, dhe përfaqësuesit e tyre në këtë vend, duhet të jenë shumë të kujdesshëm, për të qenë edhe ata të besueshëm që nuk janë të njëanshëm në këtë proces kyç, dhe shumë të nevojshëm, për të ardhmen e vendit në BE.
Nga përvoja ime personazhi Ilir Meta është shfaqur disa herë në të tilla dimensione. Gjuha e tij ka qenë me tone të ashpra sa herë ka pasur përplasje të forta politike, por edhe kur drejtësia ka qëndruar si ‘shpata e Demokleut’ mbi kokën e tij. Kujtoj akuzat shumë të ashpra që ka bërë për z.Rama si trafikant droge etj. etj., edhe në kohën e protestave të '21 janarit'. Nuk suprizohem në kuptimin se kush është Ilir Meta në retorikën e tij politikë. Kur s’ka pasur strese të ardhura nga flukse të ndryshme, që mund të vijnë nga politika dhe drejtësia, ka qenë në humor të mirë, por me sa duket kur sinjalet s’janë edhe aq të mira për të ardhmen e tij, në kuptimin e ndëshkimit që mund të marrë nga drejtësia, atëherë vijmë dhe shohim këtë shfaqje. Duhet t’i japim kohë Prokurorisë së Posaçme, që të na tregojë se si në raport me Metën por edhe në raport me funksionarët e tjerë publik do jetë i njëjti standard. Sepse ka pikëpyetje të mëdha mbi integritetin qeverisës të z.Meta që kur ai krijoi LSI-në. Partia e tij, por edhe ai vet, ka qenë pjesë e bashkëqeverisjes me të dyja krahët, si me Ramën, ashtu edhe me Berishën. Në këtë konteskt, integriteti i tyre në qeverisje ka pasur të njëjtin fat. Është një fat i ndërlidhur i këtyre që e kanë qeverisur edhe veçmas, edhe ndaras, edhe bashkë Shqipërinë në periudha të ndryshme sipas konfigurimeve politike të kohës. Ndaj mendoj që tonet e z.Meta s’janë tregues i prezumimit të tij të pafajësisë. Atë duhet ta tregojë para prokurorëve, apo hetuesve, në qoftë se ai do të thirret dhe do të merret i pandehur për dosjen për të cilën akuzohet, atëherë ka të gjitha mundësitë përmes avokatëve të tij, për ta ndjekur betejën ligjore dhe pafajësinë e tij, nëse ai mendon se është në të gjitha instancat".



