
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor në PD.
Ajo shprehu keqardhje për situatën në të cilën ndodhet PD, duke theksuar se gara për kryetar, ku përballë Sali Berishës është vetëm Mejreme Sela, nuk përbën një proces real zgjedhor.
Sipas saj, nëse në garë do të ishte edhe Ervin Salianji, procesi do të kishte një nivel më të lartë serioziteti, edhe pse rezultati mund të ishte i parashikueshëm.
Më vjen keq ku është katandisur PD. Nuk e di pse Berisha thotë bëj zgjedhje, është farsë e turpshme.
Përgëzoj zonjën që ka marrë kurajën dhe nxjerr fytyrën aty. Në një vend ku janë kapur molotovë, dyer të blinduara, janë përleshur për vulën, çfarë kuptimi ka të bëhet kjo komplet qesharake?
Nëse do të ishte në garë Salianji, do ti jepte një lloj serioziteti edhe pse jemi të bindur se nuk e fitonte.
Mendoj se brenda PD ka plot asete që mund të bëhen bashkë dhe ta hapin atë parti. Në të kundërt është parti e vdekur. Nëse ka një fajtor për gjendjen e PD, quhet Sali Berisha. Një parti nuk mbahet për interesa personale.
Për sa kohë Berisha e ka kthyer partinë në vegël për interesat e veta personale, është e kot të diskutosh për garë.
Nuk e paragjykoj Meremen, por nuk besoj se do të shkojë një anëtar i PD dhe do të votojë zonjën. Kjo është e gjitha e turpshme. Duhet të ketë kritikë të fortë ndaj Berishës. Të marrë fund njëherë e përgjithmonë, nëse nuk hapet është e destinuar të vdesë.



