
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin ditët e fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete të Shqipërisë, duke sjellë dëme të mëdha në infrastrukturë, tokat bujqësore dhe pronat private.
Eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo, tha për “MCN Live” se përmbytjet janë rezultat i një sërë faktorësh të kombinuar, ndërsa thekson se zgjidhjet nuk janë të shpejta, por kërkojnë planifikim urban dhe strategji afatgjata.
Problematikat me përmbytjet kanë ekzistuar gjithmonë, sidomos gjatë periudhave të dimrit.
Ka disa faktorë kryesorë që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si ne i kemi keqmenaxhuar burimet natyrore.
Ndër shkaqet më të diskutuara janë ndërtimet pa leje ose të paplanifikuara, sidomos në zona të ulëta, pranë lumenjve dhe brigjeve, si dhe ndërhyrjet pa kriter në territor.
Situata lidhet edhe me menaxhimin e pyjeve. Prerjet masive, ndërtimet pa kriter dhe mungesa e mbrojtjes së territorit janë ndër arsyet kryesore që rrisin rrezikun e përmbytjeve.
Qirjo nënvizon se mendimi i specializuar i ekspertëve të mjedisit dhe planifikimit territorial është i domosdoshëm për të shmangur pasoja edhe më të rënda në të ardhmen.
Shumë qytetarë kanë ndërtuar në zona të ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe sot përballen me pasojat, duke kërkuar zgjidhje emergjente nga shteti.
Nuk kemi pse të shpikim rrotën nga e para. Ekzistojnë programe dhe modele që synojnë zgjidhje afatgjata. Duhet të ndërhyjmë jo vetëm për të riparuar dëmet, por për t’i parandaluar ato nëpërmjet infrastrukturës dhe planifikimit të qëndrueshëm.
Për shkak të ndryshimeve klimatike, vitet në vijim pritet të jenë më të nxehta në nivel global, ndërsa fenomenet ekstreme si përmbytjet do të jenë më të shpeshta dhe më të forta.
Zgjidhja qëndron te planifikimi urban, duke shmangur zhvillimin e komuniteteve në zona të rrezikuara nga përmbytjet. Nuk duhet të lejojmë zhvillime urbane në territore të ekspozuara.
Janë me rëndësi ndërhyrjet natyrore, si pyllëzimi, mbrojtja e tokës dhe rritja e vegjetacionit, të cilat do të ndihmonin në uljen e pasojave katastrofike.
Ndër problematikat e tjera që ndikojnë në përmbytje, Qirjo përmend mosfunksionimin e hidrovorëve, bllokimin e kanaleve kulluese nga mbetjet, si dhe mungesën e një sistemi efikas të menaxhimit të mbetjeve.
Ndërgjegjësimi qytetar ka një rol të rëndësishëm, por menaxhimi i mbetjeve nuk mund të bëhet individualisht.
Nevojitet një sistem i ri kanalesh dhe një qasje e integruar në nivel kombëtar.



