Do të mbahet sot në orën 10:30 seanca ndaj protestuesve të arrestuar në protestën e së shtunës së zhvilluar nga opozita para Kryeministrisë dhe Parlamentit.
MCN TV mëson se për shumicën e të arrestuarve Prokuroria ka kërkuar masën “detyrim paraqitje”. Gazetari Arsen Rusta në një raportim për Mcn Live bën me dije se organi i akuzës ka kërkuar “arrest me burg” për vetëm 4 protestues.
Kujtojmë që Policia i akuzon të ndaluarit për veprime të dhunshme që kanë sjellë për pasojë lëndimin e 11 efektivëve të policisë.
“Për shumicën nga lista është kërkuar masa detyrim paraqitje. Është një listë e gjatë. Rezulton që për gazin lotsjellës dhe ujin me piper të hedhur masivisht, s’ka asnjë hetim penal, qoftë edhe procedim. Në 10:30 do nisin masat dhe s’do mungojë as prania e grupit parlamentar të PD-së. Nga lista e gjatë vetëm për 4 prej tyre ka kërkuar Prokuroria masën e sigurisë ‘arrest në qeli’. Kanë kërkuar një hetim për minorenin nga Avokati i Popullit. I mituri ka pretenduar se është dhunuar. Për 20 të arrestuarit, do të jetë zyra juridike e PD që do t’i përfaqësojë në Dhomën Penale të kryeqytetit. Patrullat e policisë kanë krijuar një perimetër sigurie, për shkak të pranisë së deputetëve dhe një grumbulli mbështetësish, që pritet të jenë këtu”.



