Historiani Auron Tare shpreh shqetësimin mbi atë që po ndodh në shpellën e Spilesë në Himarë, pas reagimit të banorëve lidhur me dëmtimin e peizazhit përqark shpellës së njohur në zonë.
Në një intervistë për MCN TV ai deklaroi se ka kohë që ajo zonë është braktisur dhe lënë pas dore, është privatizuar, bërë parking dhe lavazho diku te 15 metra nga hyrja e shpellës.
Tare shprehet se projekti i paraqitur nga Ministria e Kulturës si reagim, ishin imazhe të marra nga një shpellë në Kinë.
Shkrova diçka dhe mediat me të drejtë e morën dhe amplifikuan. Ministria e Ekonomisë që mbulon dhe Kulturën thotë se kjo nuk është e vërtetë, nuk ka ndodhur asgjë, por banorët kalojnë përditë atje.
Në deklaratën e ministrisë thuhej se kemi një projekt për rehablitimin e shpellës dhe më erdhi shumë mirë.
Kam marrë pjesë në disa prezantime të projekteve të rehabilitimit të shpellave. Projekti i paraqitur nga Ministria e Kulturës, në fakt ishin imazhe të marra nga një shpellë në Kinë.
Kur pashë një mënyrë tallje të tillë ndaj publiku dhe banorëve të Himarës në veçanti, reagova se nuk keni pse talleni me njerëzit.
Janë imazhe nga një shpellë në Kinë. Në një deklaratë ku jepen dhe imazhe të vendosura nga një shpellë në Kinë, unë do e quaja mungesë respekti dhe tallje ndaj qytetarëve.
Aq më tepër kur njerëzit e dinë se Shqipëria nuk ka ekspertizë në interpretimin e të tilla qendrave të rëndësisë kaq të madhe arkeologjike.
Shpella e Spilesë është pjesë e eposit Homerik. Fakti që në traditën e banorëve të zonës është konsideruar si një shpellë e Odisesë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për turizmin kulturor.
Ky monument është shumë specifik dhe mund të kthehet në një qendër të jashtëzakonshme të kulturës dhe të turizmit kulturor si të Himarës dhe jugut. Mund të lidhet dhe me Butrintin antik, me Dodonën dhe gjithë toponimet e gjendura në rrëfimet e Homerit.
Duhet marrë shumë seriozisht. Do të thoja që e gjithë zona përqark duhet shpallur monument kulture i kategorisë së parë, jo vetëm shpella. Të gjitha pretendimet për pronat duhen zgjidhur nëpërmjet pushtetit lokal, me dëmshpërblim.
Pastaj duhet bërë një projekt ekselent me ekspertë botërorë për të interpretuar gjithë mitologjinë e Homerit përmes kësaj shpelle. Të marrim shembullin e fqinjëve për ruajtjen e monumenteve historike.



