
Më shumë gra në postet kyçe dhe sekretariatet e PD-së. Një ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike mësohet se cili do të jetë ekipi i kryetarit Basha.
Për herë të parë, Partia Demokratike do të ketë dy gra nënkryetare: Jorida Tabaku, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe Grida Duma, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me shoqërinë civile.
Ndërkohë, ish-drejtori i Fushatës tashmë deputet i Tiranës, juristi Alfred Rushaj, do të jetë nënkryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar, ndërsa drejtuesi politik i Qarkut të Fierit, Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit, dhe njëkohësisht nënkryetar i PD.
Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, mban të njëjtën detyrë.
Edi Paloka do të propozohet për kryetar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, pavarësisht se ndryshe nga sa parashikon statuti i PD-së, emri i propozuar duhet të dalë nga një garë me të paktën dy kandidatë. Paloka pason në këtë detyrë Bujar Nishanin.
Edmond Spaho, ish-nënkryetari i PD, mësohet se ka kërkuar të mbajë vetëm detyrën e deputetit.
Deputetja e zgjedhur, shkrimtarja e botuesja Flutura Açka është nominuar për detyrën e kryetares së Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës.
Jemin Gjana është nominuar si Kryetar i Komisionit Zgjedhor.
Basha ka përzgjedhur Ledina Mandian si sekretare për Pronarët dhe çështjet e pronave.
Sekretariatin e të Përndjekurve politikë do ta drejtojë Jonila Godole.
Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qakut Kukës, dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha.
Garantimi i votës së emigrantëve do të jetë prioritet i PD. Një sekretariat i posaçëm për emigrantët do t’i besohet Belind Këlliçit.
Ish-zëdhënësja Oriela Nebiaj do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere.
Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli.
Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso.
Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.



