
Arben Çipa, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se investimi në Sazan që po përflitet prej disa ditësh është një privilegj për vendin tonë, duke shtuar se jo të gjitha vendet e kanë këtë shans.
Duke vijuar më tej, Çipa theksoi se investimi në këtë pjesë të Shqipërisë do të përdorët si “zonë reference” për industrinë e detit dhe kjo gjë sjellë përfitime të larta ekonomike.
Gjykoj se është privilegj për territorin tonë për të pasur një shans të kësaj natyre, të një investimi të tillë të shumave në fjalë. Lidhet me një investim që prek destinacionin tonë turistik dhe përmendet si referencë në zonën e Mesdheut.
Fakti që ne kemi në diskutim një kompani që është top në nivel botëror ne ndihemi të privilegjuar, jo të gjitha vendet e kanë këtë mundësi dhe kjo bën të mundur që për hir të ‘lules së bukur do të vaditet dhe vazoja’.
Në momentin që një zonë është si ‘zonë referencë’, kjo në mënyrë të padukshme, por në investim afatgjatë sjell rezultate për një territor turistik, për një zonë turistike, një rajon, rezultate të larta ekonomike.
Në rast se ndërtohet një zonë e kësaj natyre, si në Vlorë që gjeografikisht është e prekshme nga të gjitha anët aktualisht kjo zonë është zonë që preket dhe nga jahtet që përbejnë një industri të zhvilluar në zonën e Mesdheut. Është referencë që do përmendet në kalim e sipër nga industria e detit.
Toka ka produktin e vet turistik, pra turistët që lëvizin nëpërmjet tokës duke filluar nga zona e Vlorës e duke përfunduar të paktën deri në zonën e Borshit.
Më tej, Çipa tha se do të kemi probleme nëse ky ishull do të bëhet i paprekshëm për vizitorët, duke i hequr të gjithë turistëve mundësinë për ta vizituar këtë atraksion që i takon të gjithëve.
Në rast se ky ishull do të jetë i paprekshëm dhe pa akses për vizitorët këtu do kemi problem, e kemi humbur fazën e vlerës që i takon të gjithëve, çdo turisti të huaj apo shqiptar. Nëse bëhet zonë e rrethuar dhe pa akses mendoj se duhet qartësuar dhe duhet punuar për këtë. Në rast se një pjesë e këtij ishulli do të investohet dhe do të ketë zonë e veçantë, kjo është normale. Aksesi në këtë ishull pa dyshim i shton vlerën dhe do të shtojë të ardhurat.



