Avokati Ylli Kameri thotë se aksidentet në punë ndiqen në disa drejtime, ku së pari është Inspektoriati i Punës ai që bën verifikimin e aksidentit.
Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se procedimi më tej vazhdon në rastet e vdekjes dhe plagosjes nga policia dhe materiali përcillet në Prokurori, për të hetuar nëse ekziston një vepër penale për garantimin e sigurisë në punë.
Sipas tij, procedimi penal verifikon nëse ngjarja e ndodhur është për faj të punëmarrësit apo personave përgjegjës, nëse ka lidhje shkakësore me aksidentin apo pasoja dhe nëse mund të ishte parandaluar.
Avokati deklaroi se ka diferencë të madhe në kërkimin e të drejtave të trashëgimisë të punëmarrësve dhe neglizhencë nga stafi punodhënësve.
Ai sqaroi se për çdo subjekt punëmarrës me pasoja aksidenti, Inspektoriati i Punës e verifikon gjithmonë, pasi shtoi se asnjë punëdhënës nuk e siguron dot 100% sigurinë në punë, ndaj tha se është punëmarrësi që duhet të interesohet për sigurinë në punë.
Pronari merr kontraktor, kontraktori merr nënkontrator, përcillet përgjegjësia tek subjektet e tjera. Masa merret ndaj atyre që ekziston kontrata. Nuk ka inspektime, raportime dhe përballje mes punëmarrësve dhe punëdhënësve, duke ia lënë punën inspektorit ose oficerit të policisë gjyqësore. Në rastin e vdekjes çelet dëshmi trashëgimie, shpesh ndodh që viktimat të kenë fëmijë të mitur, të pazotë për tu mbrojtur vetë, të paditur, këshilli i punëmarrësve ndërmjetëson edhe të varfrit dhe mbron punëtorët.
Kur vjen problemi te përgjegjësia, gjykata bën dëmshpërblimin, punëdhënësi përgjigjet për sigurinë e punonjësit, nëse veprimet e punëdhënësit apo përgjegjësit për sigurinë kanë qenë ato që kanë sjellë aksidentin. Problemi tjetër është lidhja shkakësore mes ngjarjeve, dëmi duhet të jetë i menjëhershëm, se verifikimi me kalimin e kohës mund të mos bëhet siç janë plagosjet. Kërkesa duhet bërë në një afat të arsyeshëm. Këta persona të paktën në momentin e aksidentit duhet të përcaktojnë madhësinë e dëmit, me anë të një kontrate. Procesi administrativ nga Inspektoriati i Punës zgjat shumë pak.
Për trashëgimtarët e mitur, afati 3 vjeçar vlen kur mbush 18 vjeç, kanë të drejtë kur humbin një prind, ti drejtohen gjykatës për të rikuperuar dëmin e shkaktuar brenda moshës 21-vjeçare. Ky proces gjyqësor është një proces i shtrenjtë dhe i gjatë në kohë. Ndaj themi që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
I pyetur nëse është e lehtë për ta fituar gjyqin, kryesisht ndaj ndërtuesve dhe njerëzve me para, Kameri tha se askush nuk e dëshiron aksidentin, por se personat që shkaktojnë aksidentin mundohen që t’iu shmangen përgjegjësive dhe fshihen provat.
Kush ka fuqi ekonomike, përpiqet që të shmangin përgjegjësinë e tyre. Roli i viktimës gjatë procesit penal, nuk është i duhuri, kemi një ndarje të padisë civile dhe penale, që sjell edhe ngarkesë për sistemin gjyqësor, por edhe rënie të efektivitetit. Edhe trysnia për ta zgjidhur çështjen jogjyqësisht ekziston. Zonat rurale kanë vështirësi në aksesin në drejtësi.
Procesi i ndërmjetësimit rehabiliton shumë nga pasojat e aksidenteve në punë. Plotësohet një dokument ku merren përsipër detyrimet. Këshillat e punonjësve duhet të marrin masa vazhdimisht dhe jo kur ndodhin aksidentet.
Sqarimi i avokatit vjen pasi tre ditë më parë një 19-vjeçar humbi jetën në portin e Durrësit teksa ishte duke punuar.



