
Bashkimi Evropian do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje Hercegovinë, pas rritjes së tensioneve në shtetin ballkanik.
Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të premten se “do ta rrisë përkohësisht” numrin e trupave paqeruajtëse në Bosnje, pa specifikuar se sa.
“Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.
“Ditët në vijim, publiku mund të vërejë një prani të shtuar të EUFOR-it”, tha EUFOR-i, duke theksuar se kjo veprimtari “është drejtpërdrejt e lidhur me detyrën e saj për të mbështetur autoritetet e Bosnje e Hercegovinës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.
EUFOR-i ka rreth 1.500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë.
Lëvizja vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës për ta ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska, të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.



