Ndërsa palët politike po përpiqen të dakordësohen në Këshillin Politik mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, koha për t'i bërë këto ndryshime, sipas juristëve, është e pamjaftueshme.
Për TvT-në, Jordan Daci thotë se klima politike nuk është favorizuese për të bërë ndërhyrje.
Nuk e favorizojnë zhvillimin e një procedimi normal për një ndryshim kushtetues, i cili do të ishte i mirëmenduar. Nga një anë po bëhen amendime të Kodit Zgjedhor, por nga ana tjetër ka propozime për ndryshime të Kushtetutës. Ndryshimet e propozuara nuk nisen nga interesat e publikut shqiptar, por nga matematika zgjedhore dhe politika elektorale dhe e numrave që ka përzgjedhur të ndjekë maxhoranca aktuale.
Ndryshimi i sistemeve elektorale pa marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe moslejimi i koalicioneve parazgjedhore, sipas juristit Daci, mund të prodhojë mandate të pamerituara.
Si nga pikëpamja që kemi sistem rajonal proporcional, por edhe nga formula që përdoret për përllogaritjen e numrit të votave në marrjen e mandateve, bën që opozita aktuale të humbasë vota. Këtu favorizohet shumica me disa mandate plus. Edhe pse jemi në rrethana të tjera, ky është një Dushk i dytë. Nëse atëherë Dushku prodhoi 10 a më shumë deputetë, besoj kësaj here do të prodhohen 3, 4 apo më shumë mandate të paemrituara për maxhorancën aktuale.
Por a mund të realizohen ndërhyrje në Kushtetutë për sa kohë që vendi prej kohësh vuan mungesën e Gjykatës Kushtetuese?!
Kjo e ka bërë maxhorancën aktuale të bërë çfarë të dojë, sepse e ka ditur se nuk ka kush ti thotë ndal. Procesi zgjedhor i ardhshëm do të deligjitimohej pa filluar akoma. Nga një vend që synon të ndahet e shkuara problematike me zgjedhjet, do të krijohej një situatë akoma më e rëndë se më përpara.
Përplasjet për ndryshime në Kodin Zgjedhor vijojnë, sa kohë që opozita parlamentare mbetet e palëkundur për hapjen e listave, ndërsa opozita e bashkuar nga ana tjetër shpreh vendosmërinë e saj për të mos ndryshuar marrëveshjen e 5 qershorit.



