Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi vendimin e Komisionit Europian, për dhënien e rekomandimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Gjatë një takimi me qytetarët e Fierit, Basha tha se largimi i Ramës do t’i hapte rrugë çeljes së negociatave dhe zgjidhjes së krizës politike.
“Largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike një qeverie të integrimit europian që do mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama nuk i zbaton sepse janë në konflikt interesi me to. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka vend që i hapen negociatat me BE pa zgjedhje të lira. Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme janë rruga jonë drejt BE”, tha ai.
Duke ripërsëritur se demokratët nuk do të bëjnë “asnjë kompromis dhe asnjë pazar me të keqen”, Basha i ftoi qytetarët e Fierit në protestën e së dielës. "Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm. Asnjë hap për lëvizjen tonë për liri demokraci. Ta sjellim të shumëfishuar në Tiranë të dielën ora 19:00”, tha ai.



