
Miku më i afërt ateist i Papës, Eugenio Scalfari, thotë se gjatë një bisede me të, Papa Françesku e mohoi ekzistencën e ferrit. Ai thotë se Papa nuk beson se shpirti njerëzor është i përjetshëm.
“Shenjtëria juaj, në takimet tona të mëparshme keni thënë se specia njerëzore do të zhduket në një moment të caktuar dhe Zoti me forcën e tij krijuese, do të krijojë specie të tjera. Por ju nuk më keni folur kurrë për shpirtrat e atyre që kanë vdekur në mëkat dhe do të shkojnë të jetojnë në ferr përjetësisht. Ju më keni folur për shpirtrat e mirë, që gjejnë mëshirimin e Zotit, po çfarë ndodh me shpirtrat e këqinj. Ku ndëshkohen ata?”, raportohet ta ketë pyetur Scalfari Papën gjatë një takimi, siç citohet nga CNS NEWS.
Scalfari, 93-vjeç, ka qenë themelues i gazetës italiane “La Repubblica”, ku detajet e takimit me Papën u publikuan të enjten.
“Ata nuk ndëshkohen. Ata që pendohen marrin faljen e Perëndisë, por ata që nuk pendohen, nuk mund të falen dhe zhduken. Nuk ka ferr, ka zhdukje të shpirtrave mëkatarë”, citohet Papa.
Ky pretendim bie ndesh me bazat e katolicizmit, sipas të cilit shpirti është i përjetshëm dhe ferri ekziston për të dënuar shpirtrat mëkatarë që kanë mohuar fjalën e Zotit.
Por, për Vatikanin, kjo bisedë e Papës me Scalfarin nuk është e njëjta që ky i fundit tregon. Kisha pretendon se kur ata të dy janë takuar, nuk ka pasur intervistë.
“Ajo çfarë raportohet nga autori i artikullit është rezultat i interpretimit të tij dhe fjalët e Papës nuk janë riprodhuar tekstualisht. Asnjë citim i artikullit të lartpërmendur nuk duhet të konsiderohet si transkriptim besnik i fjalëve të Atit të Shenjtë”, thuhet në reagimin e Vatikanit pas publikimit të shkrimit.
Scalfari ka folur për mohimin e ekzistencës së ferrit nga papa edhe vitin 2015. Sipas tij, kjo temë është prekur në një tjetër takim që ata kanë pasur në vitin 2013. Edhe në atë kohë, Vatikani i hodhi poshtë pretendimet e tij. “Nëse nuk ka fjalë të botuara nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht, shkrimtari mban përgjegjësinë e plotë për atë që ka shkruar”, tha në atë kohë zëdhënësi i Vatikanit.
Papa Françesku i është referuar disa herë ekzistencës së ferrit, ndërsa u ka bërë thirrje pjesëtarëve të mafias të braktisin aktivitetin kriminal. “Jeni në kohë ta bëni këtë, në mënyrë që të mos përfundoni në ferr. Ai ju pret nëse vazhdoni në këtë rrugë”, ka thënë Papa. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



