
Një tjetër vdekje misterioze në Rusi për një tjetër drejtues të lartë të një kompanie energjetike. Bëhet fjalë për Igor Shkurko, zëvendësdrejtori i parë i përgjithshëm dhe kryeinxhinieri i Yakutskenergo, i cili u gjet i vdekur në një qendër paraburgimi në Yakutsk.
Kështu shkruan Nexta, një media pranë opozitës, duke kujtuar se muajin e kaluar menaxheri i kompanisë energjetike u arrestua për korrupsion.
Partia “Rusia e Bashkuar”, anëtar i së cilës ishte zyrtari më i lartë, pezulloi pjesëmarrjen e tij.
Departamenti i Jakutisë i Shërbimit Federal të Ndëshkimit tha se Shkurko kreu vetëvrasje.
Shkurko u gjet në një qeli në qendrën e paraburgimit pa shenja jete. Punonjësit mjekësorë që mbërritën konfirmuan vdekjen e tij.
Shkurko ishte në krye të drejtimit teknik të “Yakutskenergo”. Ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.
Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, kanë filluar një seri vdekjesh misterioze të drejtuesve dhe biznesmenëve të rangut të lartë rusë.
Gjatë 15 muajve të fundit, më shumë se 40 menaxherë të lartë rusë, biznesmenë dhe drejtues të tjerë kanë vdekur në rrethana të paqarta.



