Gazetari Xhevahir Zhabina komentoi në emisionin “Fact Check” disa nga vrasjet që kanë ndodhur në Shqipëri përgjatë vitit të ri 2025. Zhabina theksoi se policia dhe prokuroria e kanë të lehtë zbardhjen e ngjarjeve me motiv banal, por jo ato me motiv kriminal. Ndër të tjera ai thotë se grupet kriminale në Veriut krijojnë lidhje me grupet nga Jugu dhe Shqipëria e Mesme.
Duke komentuar vrasjen e Bujar Nasufit, Zhabina thotë:
“Ka diçka interesante që s’kishim parë vitet e fundit që vrasjet të kryheshin me motor, vitet e fundit, e modës ka qenë makina. Ka pasur person tjetër që e ka ndihmuar autorin, a është lajmëruar, kjo mbetet për t’u parë, pasi grupi hetimor ka marrë numrat e telefonit të vendosura në atë kohë në këtë zonë. Sa i takon motiveve, nuk flitet shumë për motivin, ku viktima ka një të kaluar pa probleme. Të vetme probleme që mund të ketë pasur janë ato të pronësisë, apo të afërmve. Prokuroria dhe policia kanë një lloj suksesi te ngjarje me motiv banal si ajo e Shkodrës, ndërsa kur kemi motiv kriminal, dhe organizim më të sofistikuar, prokuroria dhe policia shpesh ngecin”.
Duke komentuar ekzekutimin e Kristian Markut, gazetari shprehet:
“Është nga ato ngjarje që duhen ditë apo muaj...Objektivi ka qenë i survejuar disa ditë, javë, ndoshta edhe muaj. Pyetjes se çka dashur Kristian Marku në Vlorë s’di ta them. Por Sky Ecc na tregoi që grupet kriminale të Veriut kanë lidhje me ato të Jugut dhe Shqipërisë së mesme. Bëjnë favore me njëri-tjetrin. Marku mund të ketë shkuar në Vlorë për të lidhur aleanca me grupe të tjera kriminale atje. Në vrasjet për gjakmarrje në Rrëshen, shteti është inekzistent”.
Sa i takon vrasjes së Xhemal Metës ai thotë:
“Ngjarje shumë e rëndë, e dhunshme, ku viktima qëllohet me sende të forta, dhe sigurisht ka qenë mjaft e rëndë. Për policinë dhe Prokurorinë ka qenë mjaft e thjeshtë, është krehur zona, dhe ka qenë e thjeshtë për ta zbardhur. Në zona kaq të vogla dhe fshatra kaq të vegjël dihen kush janë personat me backround të dhunshëm”.



