Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vendimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për gjyqtarin Shkëlqim Miri, i akuzuar për korrupsion. Kështu, organi i akuzës i ka vënë në dispozicion KLD-së vendimin e gjykatës për efekt të masës që do të marrë Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
KLD-ja pritet ta shqyrtojë gjatë kësaj jave masën e dhënë nga Krimet e Rënda. Sipas ligjit, pas masës së sigurisë gjyqtari do të pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve.
Gjyqtari Shkëlqim Miri, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u arrestua disa ditë më parë me akuzën që kishte marrë një sasi parash për të ndryshuar klasifikimin e veprës penale ndaj një personi të akuzuar për vrasje.



