
Alergjitë janë një reagim i sistemit imunitar ndaj substancave të padëmshme për shumicën e njerëzve, por që në trupin e një personi alergjik shkaktojnë prodhimin e antitrupave.
Këto substanca quhen alergjenë dhe mund të jenë pluhurat, polenet, myku, ushqime të caktuara, apo pickimet e insekteve.
Në një intervistë për emisionin “Zgjohu me MCN”, mjekja alergologe Maria Zoto shpjegon alergjitë më të zakonshme, simptomat që ato shkaktojnë dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë.
Simptomat më të shpeshta të alergjisë janë teshtima të shpeshta, rrjedhje hundësh dhe bllokim, sekrecione të shtuara, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllimë në gjoks (shenjë e astmës alergjike)
Alergjitë shpesh ngatërrohen me virozat e zakonshme. Por ndryshe nga virozat që zgjasin disa ditë, simptomat alergjike janë të përsëritshme dhe të vazhdueshme, veçanërisht në kontakt me alergjenin.
Kur alergjia prek rrugët e poshtme të frymëmarrjes, mund të shfaqet si astmë. Astma alergjike karakterizohet nga fishkëllima në gjoks, frymëmarrje e vështirësuar dhe ndjesi shtrëngimi në kraharor.
Këto janë sinjale që nuk duhen neglizhuar. Pacientët duhet të kenë me vete pompat (spray) për rastet urgjente. Në raste të diagnostikuara, përdorimi i medikamenteve parandaluese për një periudhë 1–2 mujore mund të përmirësojë ndjeshëm gjendjen.
Sipas të dhënave, në Europë, 1 në 3 persona vuajnë nga një formë e alergjisë.
Rritja e ndotjes, përdorimi i kondicionerëve, dhe qëndrimi i gjatë në ambiente të mbyllura kanë ndikuar në shtimin e rasteve, thotë alergologjia Zoto
Alergjenët më të zakonshëm në shtëpi janë pluhuri në dyshekë, tapete dhe divan, mjediset e ngrohta dhe me lagështi dhe filtrat e papastruar të kondicionerëve.
Filtrat e kondicionerëve duhet të pastrohen rregullisht. Përndryshe, ato shpërndajnë pluhur dhe alergjenë në ajër, duke përkeqësuar gjendjen e pacientëve. Po ashtu, është e rëndësishme të ajroset shtëpia çdo ditë.
Shumë persona që vuajnë nga alergjitë i neglizhojnë simptomat dhe nuk i drejtohen mjekut, duke i lënë problemet të përkeqësohen.
Çdo shenjë që përsëritet duhet marrë seriozisht. Ndërhyrja në kohë përmirëson cilësinë e jetës dhe parandalon komplikacionet.



