
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar masën e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, mbledhja e gjyqtarëve, me një votim 5 me 3 në favor të qeverisë, vendosi kalimin për shqyrtim të kërkesës së saj si edhe rrëzimin e vendimeve të GJKKO për pezullimin e Ballukut nga detyra.
Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:
Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.
Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve të ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.
- Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.
Mbledhja e sotme e gjyqtarëve erdhi pas një shtyrjeje 10-ditore "për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj".
Pak ditë më parë, qeveria iu drejtua Kushtetueses me kërkesën për të shqyrtuar mosmarrëveshjen për kompetencat, e krijuar ndërmjet kryeministrit e Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në anën tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së Ballukut.
Më 19 nëntor, Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e zv.kryeministres Balluku nga detyra, duke i ndaluar udhëtimin jashtë vendit, pasi pranoi kërkesën e SPAK në kuadër të hetimeve të nisura për procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.



