
Rastin e 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës në duart e policisë së Tiranës, gazetari Mentor Kikia e cilëson një ngjarje që duhet zbardhur urgjentisht. Kjo sipas tij për shkak të precedentëve që kanë çuar në humbjen e besimit te policia. Në studion e lajmeve të MCN TV, Kikia tha policia është kapur njëherë në mashtrim në rastin e Klodian Rashës, ndaj ngjarja e fundit ngre pikëpyetje të mëdha mbi Policinë e Shtetit.
Besoj që gjithkush lutet që kjo të jetë një ngjarje rastësore. Policia ka humbur mundësinë që ne t’ia besojmë variantin e bërë publik. E them këtë sepse kjo ngjarje e rëndë na kujton atë të vrasjes së Klodian Rashës, për të cilin u deshën kohë që të dalë përgjegjësi i vërtetë. Pra policia ishte përfshirë njëherë në krim dhe herën e dytë në krimin e mashtrimit publik. Sot ne e kemi të vështirë t’i besojmë sepse policia është kapur njëherë në mashtrim. Për shkak të përsëritjes, kjo ngjarje duhet të zbardhet. Nëse ngjarje të tilla vazhdojnë të përsëriten, atëherë kjo është një ngjarje shumë e rëndë.
Gjithkush prej nesh kërkon një zbardhje të plotë sepse nuk mund të jetojmë në një vend ku njerëzit ndalohen nga policia dhe dalin prej aty të vdekur.
Është një ngjarje që hedh dyshime të forta mbi Policinë e Shtetit.
Të nxituar e cilëson edhe reagimin e opozitës në lidhje me ngjarjen.
Është një deklaratë e nxituar edhe ajo e opozitës. Nuk është një reagim korrekt. Për çdo ngjarje duhen prova. Kemi të bëjmë me një rast që në mënyrë të supozuar mund të implikohet policia e vendit. Problemi i madh në këtë vend është se këto institucione kanë humbur besimin. Sot me të drejtë nuk i besojmë këtij versioni sepse nuk ka lënë shteg. Kur ke gënjyer disa herë, vështirë të të besojnë.
Duhet të bëhet gjithçka nga ana e policisë për të bindur opinionin që kjo erdhi një vdekje që erdhi si pasojë e këtyre kushteve. Shumëkujt mund t’i rastistë të gjendet në vendin e gabuar dhe të shoqërohet në polici. Jo të gjithë janë kriminelë. Nuk është e thënë të shkosh në polici për verifikim dhe të dalësh që andej me kocka të thyera.



