Manifest të stilit maocedun e cilëson analisti Ilir Kalemaj konsultimin që kryeministri Rama ka nisur me qytetarët përmes atij që njihet si Këshillimi Kombëtar. Në studion e MCN Live, Kalemaj tha se thelbi i 12 pikave të konsultimit është fakti që qeveria nuk ka para. Rritja e borxhit publik dhe barra e PPP-se, sipas Kalemajt nuk do të lërë para të mjaftueshme për nevojat e vendit, çka e bërë qeverinë të rikthejë amnistinë fiskale dhe debatin për legalizimin e kanabisit. Këto të dyja i janë parashtruar qytetarëve në pyetësor, në atë që sipas Kalemajt është një konsultim publik thjesht formal.
Thelbi është që qeveria është keq me paratë. Borxhi ka shkuar mbi 82%. Në 2024, mund të shkojë 10 miliard euro pesha e borxhit të shqiptarëve. Sa para i ngelen qeverisë. Prandaj ka rikthyer amnistinë fiskale dhe debatin që inicioi Kokëdhima dikur për legalizimin e kanabisit. Amnistia fiskale sjell paranë e pistë dhe e legalizon. Në pyetësor nuk është e qartë për cilat para të emigrantëve do të legalizohen?
Sa i takon kanabisit, shumë vende në botë kohët e fundit kanë folur për disa forma të legalizimit. Qeveria thotë se do të jetë strikt për përdorim mjekësor. Por në Maqedoninë e Veriut kjo ka dështuar. Ne kemi dëgjuar për politikanë që kanë ferma në Maqedoni dhe do t’i sjellin këtu. Kam përshtypjen se është e parapërgatitur. Janë skenarë dhe Rama thotë se kjo është faza e konsultimit publik.



