Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për rritjen e pagave në sektorin publik. Lajmi u bë me dije nga vet ministri i Financave Ervin Mete, i cili në një komunikim për mediat tha që vendimi hyn në fuqi nga data 1 korrik. Nga rritja e pagave përfitojnë 135 mijë punonjës të administratës publike.

"Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, u shpreh Mete.
Ai shtoi se nga rritja e rrogave do të përfitojnë: “Punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; punonjësit e sistemit shëndetësor; punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi); si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.”



