Ukraina ka vendosur sanksione ndaj ish-presidentit dhe politikanit të opozitës Petro Poroshenko, duke përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e tërheqjes së kapitalit nga vendi, thuhet në një dekret presidencial të publikuar të enjten.
Poroshenko, një nga njerëzit më të pasur të Ukrainës i cili kryeson partinë më të madhe opozitare në parlamentin e Ukrainës, shërbeu si president nga viti 2014 deri në vitin 2019 kur humbi mandatin e dytë në zgjedhjet e fituara nga Presidenti Volodymyr Zelensky.
Dekreti nuk saktësonte arsyen se pse u vendosën sanksionet, por Zelensky ka thënë më herët se Këshilli i Sigurisë do të shpallte sanksione të cilat synonin njerëzit që kishin minuar sigurinë kombëtare të Ukrainës.
“Miliardat e bëra në shitjen e Ukrainës, interesave të Ukrainës dhe sigurisë ukrainase duhet të bllokohen dhe të punojnë për mbrojtjen e Ukrainës dhe ukrainasve.
Këshilli njoftoi sanksione kundër manjatit të burgosur Ihor Kolomoisky, ish-bashkëpronar i PrivatBank Gennadiy Bogolyubov, Viktor Medvedchuk, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin dhe biznesmenit Kostiantyn Zhevaho.
Poroshenko, i cili njoftoi të mërkurën se ishte sanksionuar nga Ukraina, akuzoi Zelenskyn për një veprim jokushtetues dhe të motivuar politikisht.
Manjati 59-vjeçar i ëmbëlsirave, i referuar si “Mbreti i çokollatës”, e sheh Zelenskyn si një rival politik.
Përpara se Rusia të ndërhynte në Ukrainë, Poroshenko kishte qenë objekt i disa hetimeve penale në perandorinë e tij të biznesit.
Ligji ushtarak në Ukrainë, i cili ka qenë në fuqi që kur Rusia nisi një pushtim të plotë në shkurt 2022, ndalon mbajtjen e zgjedhjeve. Mandati i Zelenskyt normalisht do të kishte përfunduar në maj të vitit të kaluar.



